Saturday, August 20
Shadow

23 vjet pas luftës, qytetarët 45 milionë euro borxhe në Ujësjellës

Janë bërë po thuajse 23 vjet nga përfundimi i luftës dhe qytetarët e tetë komunave të cilat menaxhohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, vazhdojnë të mos e paguajnë borxhin që kanë ndaj kësaj kompanie.

Janë miliona euro që qytetarët e Kosovës i kanë borxh kësaj kompanie publike që ofron shërbime për konsumatorët.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” që nga paslufta deri më tani, është 45 milionë euro.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku për Sinjalin thotë se borxhet janë milionëshe dhe se vazhdojnë të mos paguhen.

“Borxhet e konsumatorëve ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit që nga paslufta deri më sot janë mbi 45 milionë euro”, thotë Mjeku.

Kjo kompani tutje konfirmon se për personat që nuk kanë kryer obligimet e pagës së shërbimeve do të përballen në gjykata. Janë rreth 2 mijë lëndë të cilat janë duke u trajtuar nga përmbaruesit privat për personat që kanë borxhe në KRU “Prishtina”.

“Sa i përket dërgimit të lëndëve te përmbaruesit privat po ua ceki vitin 2021 dhe 2022, janë afro 2 mijë lëndë të dërguara te përmbaruesit privat për 15 muaj”, thotë tutje Arjeta Mjeku.

Në mes tjerat ajo thotë se në periudhën janar-nëntor të vitit 2021, KRU “Prishtina” ka arritur të inkasojë rreth 88.8 për qind të detyrimeve të konsumatorëve ndaj kësaj kompanie.

“Nga muaji janar – nëntor të vitit 2021 i kemi faturuar 14.450.000 euro në tetë komunat, ndërsa i kemi inkasuar për 11 muaj të vitit 2021 në total 12.751.000 euro (bëhet fjalë për tetë komunat në zonën e shërbimit). Shkalla mesatare e arkëtimit/inkasimit për 11 muaj të vitit 2021 është rreth 88.8%”, ka thënë, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

KRU “Prishtina” aktualisht ofron shërbime në gjithsej tetë komuna të Republikës së Kosovës.

Kjo kompani e ujësjellësit kryen shërbime të furnizimit me ujë në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, Podujevë, Shtime, Graçanicë dhe Lipjan.

Nga këto tetë komuna janë në total 154 mijë konsumatorë, ndërsa vetëm në Prishtinë janë rreth 87 mijë konsumatorë.

Sipas të dhënave, vetëm konsumatorët në Prishtinë, në periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar, kanë shpenzuar 1.2 miliardë litra ujë, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar nga konsumatorët e shtatë komunave të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published.