
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF) ka refuzuar pranimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në Dakar. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se votimi kundër ishte me ndryshim minimal ndaj votave pro. Ndërkaq për mospranimin e Kushtetueses së Kosovës është mburrur Gjykata Kushtetuese e Serbisë.
“Gjykata Kushtetuese ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese (ACCF) fundvitin e kaluar dhe kjo është hera e parë që Gjykata aplikon në këtë asociacion. Në Kongresin e 9-të të ACCF-së, mbajtur në Dakar të Senegalit, më 1 qershor 2022, përkundër numrit të madh të votave të fituara, kërkesa e Gjykatës për anëtarësim megjithatë këtë herë nuk u mbështet nga numri i domosdoshëm i gjykatave anëtare, me një ndryshim minimal të votave për dhe kundër”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses në Kosovë.
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone është krijuar më 1997 si iniciativë e Gjykatës Kushtetuese të Francës për të lidhur raportet mes anëtareve frëngjishtfolëse. Në vitin 2019 ndërroi emrin. Tani ka 50 anëtare nga Afrika, Evropa, Amerika e Azia. Asambleja e përgjithshme mbahet çdo tre vjet. Anëtare është edhe Shqipëria.
Gjykata Kushtetuese e Serbisë të enjten ka thënë se ka arritur të ndalojë kërkesën e Kosovës për pranim në këtë organizatë ndërkombëtare. Sipas njoftimit të saj, zyrtarët serbë kanë bindur shtetet anëtare se “Kosova s’i plotëson kriteret”.
Kosova së fundi ka nisur të aplikojë në organizata të ndryshme. Për një kohë, Kosova hoqi dorë nga këto procese, duke e respektuar moratoriumin njëvjeҫar me Serbinë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, më 2020.
Përmes këtij moratoriumi, Serbia u zotua se do ta ndalë fushatën në kërkim të ҫnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosova, do të ndalë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Kosova para pak javësh ka aplikuar për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës.