Saturday, August 20
Shadow

Anulimi i konkursit të KEK-ut, Shala ‘piketon’ Qeverinë: Tentuan të mbulojnë gjurmët nga komisioni hetimor

Më herët u raportua se Korporata Energjetike e Kosovës e ka anuluar konkursin ku u dyshua për punësime familjare të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, vendimi i cili është marrë pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të përzgjedhjes.

Rreth kësaj çështje, për lajmi.net, u prononcua deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi.

Shala tha se ky vendim është dashtë të merret më herët, në kohën kur e kanë ngritë këtë çështje si shqetësim.

“Po është e vërtetë që KEK-u ka kthyer në rishqyrtim konkursin, praktikisht është në një fazë që do të duhej ta bënte shumë më herët. Do të duhej ta bënte atëherë kur edhe mediat edhe parlamentarët e Partisë Demokratike e kanë ngritë këtë shqetësim”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se edhe pse ky konkurs është anuluar kjo nuk do të thotë që Komisioni Hetimor Parlamentar, i sapo formuar, nuk do të hetojë të gjithë procesin.

“Por tash gradualisht po shpërfaqet arsyeja e rezistencës së mazhorancës për të mos lejuar në kohë, tash e disa muaj Komisionin Hetimor Parlamentar. Ky është rezultati i parë i themelimit të komisionit hetimor parlamentar, efekti i parë që ndodh në KEK, por kjo nuk do të thotë që, pse e kanë kthyer konkursin në pikën zero nuk do të hetohet tërë procesi i rekrutimit dhe manipulimeve që kanë ndodh në proces dhe konkurs”, vazhdoi tutje deputeti i PDK-së.

Më tej, ai tha se ky anulimi i këtij konkursi është rezultat i Komisionit Hetimor, duke shtuar se, edhe pse ky Komision nuk ka filluar ende punën, qeveria e ka pa rrezikun dhe po tentojnë t’i fshehin gjurmët.

“Definitivisht është rezultat i Komisionit Hetimor Parlamentar edhe pse nuk ka filluar punën ende, por në momentin që është krijuar ata e kanë pa rrezikun dhe normal që orvatën të mbulojnë gjurmët, orvatën të manipulojnë procese dhe kështu me radhë. Kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet, jo vetëm kjo por edhe proceset e tjera. Mazhoranca e ka ditur që nuk mund t’i ikë Komisionit Hetimor, por orvatjet për ti ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies kanë qenë të tilla që na kanë çuar deri te një shkallë ekstreme e kërkesës dhe e protestës”, përfundoi Shala.

KEDS përgjatë së mërkurës ka njoftuar se me rekomandim të komisionit të pavarur, ka anuluar konkursin për 127 pozita të lira dhe e ka çuar në rivlerësim. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published.