Monday, November 28
Shadow

Bajram Begaj zgjidhet President i Shqipërisë

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka marrë besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Në këtë proces kanë marrë pjesë 83 deputetë.

Begaj është votuar pro tij, nga 77 deputetë.

5 deputetë kanë qenë kundër.

1 votë ka shkuar abstenim.

Opozitarët e pranishëm në sallën e Kuvendit, votuan kundër kësaj kandidature për shkak se besojnë që socialistët shkelën rregulloren e Kushtetutës, pasi një ushtarak në detyrë aktive nuk mundë të dalë kandidat për President.

Bajram Begaj, deri paraditen e sotme mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por me një dekret të lëshuar nga Presidenti në ikje Ilir Meta, ai u lirua nga detyra duke i hapur rrugë kështu emërimit në përputhje me Kushtetutën. Pas tre raundeve të dështuara, në raundin e katërt Begaj u propozua nga partia në pushtet, Partia Socialiste.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se partia që ai drejton do të mbështesë Bajram Begajn për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

“Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi”, tha Rama, duke iu referuar kandidatit për presidenti.

Begaj është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në korrik 2020.

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tiranës.

Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Procesi në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Ndërkohë Begaj u propozua nga 37 socialistë.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij përfundon në korrik të vitit 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published.