Saturday, August 20
Shadow

“Granata më ra në dorë, ma këputi gishtin” – Rrëfehet për plagosjen ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të UÇK-së

Lajmi.net ka vazhduar me publikimin e video-rrëfimeve në kuadër të ciklit “Plaga për Lirinë”.

I radhës që ka rrëfyer për plagosjen e tij në betejë është ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fidan Mehaj, i radhitur në Njësinë Speciale të UÇK-së, “Shqiponjat e Zeza”.

Mehaj ka rrëfyer për bashkëngjitjen e tij në UÇK dhe arsyet që e nxitën të ndërmerrnin këtë veprim.

“Bashkangjitja ime në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte t’i dalë në ndihmë popullit tim nga masakrat, tortura, vuajtjet nga ushtria serbe mbi ta. Jam krenar për sakrificën time që kam bërë për vendin tim, dhe nuk pendohem që jam tash invalid, dhe prapë do të jem aty nëse nevojitet për vendin tim”, rrëfen Mehaj.

Video:

Ndër të tjera, ai rrëfen edhe momentin e plagosjes, ku edhe humbi një pjesë të dorës së tij.

Mehaj tregon për momentet dramatike të betejës në Ratishë të Deçanit, ku pasë parasysh afërsinë që kishin me forcat serbe, me ta kishin edhe konflikt verbal.

“Ishin datat 3-4-5 qershori, fundi i luftës kur Ushtria Serbe dojshin që me çdo kusht ta thyenin UÇK-në. Aty morëm urdhër nga komandanti që të shkojmë pesë ushtarë përforcim si Njësi Speciale. Ishte një betejë, ndër shumë beteja që kam zhvillu. Aty shkum në Ratishë afër Pozharit. Ishin luftime shumë të ashpra. Ishim shumë afër me serbët. Kishte momente dhe konflikt verbal me ta. Më 5 qershor, ndër ditet ku kishte shumë luftime dhe granatime, ra një granatë afër meje dhe më plagosi mua në dorë dhe në këmbë. Po ashtu njëjtë edhe bashkëluftëtarin tim, Bajrush Ademin në dy këmbët, për fat të keq njërën e humbi”, rrëfen Mehaj.

“Në momentin kur u ra granata afër, dhe më ka kapur në dorë, ma ka ça dorën, ma ka kput gishtin, por për atë moment vetëdijën e kam pas. Bashkëluftëtarët e mijë ma kanë jep ndihmën e parë, me disa fasha ma kanë ndalë gjakderdhjen dhe na kanë dërguar në Spitalin Ushtarak në Maznik”, rrëfen tutje ai./lajmi.net/

Pavarësisht se lufta e la me pasoja të përjetshme, Mehaj thotë se edhe sot është i gatshëm t’i përgjigjet një thirrjeje të mundshme.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë për mu, dhe jam i gatshëm nëse o nevoja në çdo kohë t’i përgjigjem vendit tim”, ka rrëfyer Mehaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.