Tuesday, August 9
Shadow

Këto janë 18 vendimet që mori sot Qeveria Kurti

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku ka miratuar 14 vendime, dy projektligje dhe një Koncept dokument, raporton Express.

Në këtë mbledhje është miratuar projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, si dhe vendimi për ndarjen e shtesave prej 100 euro për studentët, pensionerët, punëtorët e sektorit privat dhe atij publik.

Më poshtë njoftimi i plotë i ZKM’së:

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot ka miratuar 14 (katërmbëdhjetë) vendime, 2 (dy) projektligje dhe një Koncept dokument.

Në vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme është ndryshuar dhe plotësuar Programi Legjislativ për vitin 2022, sipas të cilit shtohen nëntë projektligje, 12 (dymbëdhjetë) projektligjeve u ndryshohet afati i aprovimit të tyre në Qeveri ndërkaq një projektligji, atij për Avokaturën Shtetërore i ndryshohet emërtimi në Projektligjin për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedurat gjyqësore dhe arbitrazh.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratoi vendimin për dhënie të mendimit lidhur me nismën Legjislative për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Qeveria e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës si nismë e cila është në pajtim me nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 8 të Ligjit Nr. 04/L-025 për Nismat Legjislative.

Dy projektligje kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar:

1. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, i cili do të pasqyrojë rritjen e të hyrave buxhetore në tremujorin e parë të këtij viti në masën mbi 17 për qind. Sipas rishikimit, vlera e buxhetit të rishikuar do të rritet nga 2.75 miliardë euro në 2.90 miliardë euro dhe;

2. Shqyrtimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Ky projektligj ndryshon dhe plotëson këto ligje:

• Ligjin për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 05/L-141;

• Ligjin për Personat e Verbër;

• Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik; dhe

• Ligjin për Tatimin në të ardhurat personale.

Përmes këtij Projektligji synohet që të eliminohen mëdyshjet ligjore rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht rregullimin ligjor të lidhshmërisë së pagës minimale në nivelin e beneficioneve sociale sipas ligjeve të mësipërme.

Është ndryshuar dhe plotësuar Vendimi i Qeverisë Nr. 07/67 i datës 9 mars 2022 me të cilin i janë propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryetar, Zëvendëskryetar dhe anëtarë të Komisionit Kosovar të Konkurrencës si në vijim:

1. Në vend të z.Hekuran Nikçi, Kryetar, propozohet znj.Neime Binaku – Isufi;

2. Në vend të znj.Kaltrina Sela, Zëvendëskryetare, propozohet znj.Violeta Jakaj – Spaqi.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është themeluar Grupi Punues për Implementimin e Reformave në Fushën e Inspektimeve. Grupi punues sipas nevojës mund të ftojë përfaqësues të institucioneve tjera, shoqërisë civile, sektorit privat ose donatorëve ndërkombëtarë për të marrë pjesë në mënyrë aktive në punën e tij, në cilësi të ekspertëve apo vëzhguesit të procesit.

Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të Grupit Punues për këtë reformë me interes nacional, janë si vijon:

1. Koordinimi, drejtimi dhe mbikëqyrja e aktiviteteve të organeve të ndryshme qeveritare (duke përfshirë nivelin lokal) për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me reformën e fushës së inspektimeve;

2. Mbikëqyrja e procesit të zbatimit të Ligjit të ri Nr. 08/L – 067 për Inspektimet, në themelimin dhe funksionalizimin e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm;

3. Monitorimi i procesit të ndryshim-plotësimit dhe harmonizimit të ligjeve përkatëse dhe akteve nën-ligjore, me Ligjin Nr. 08/L-067 për Inspektimet;

4. Përgatitja e materialeve të nevojshme udhëzuese lidhur me fushën e inspektimeve, sipas nevojës;

5. Zhvillimi i aktiviteteve të tjera të nevojshme për implementimin e suksesshëm të reformës së inspektimeve në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-067 për Inspektimet.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilin z. Kujtim Gashit i vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit edhe për 3 (tre) vjet, me qëllim të kthimit të ligjshmërisë. Sipas vendimit të aprovuar, konstatohet se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Nr. 02/117 i datës 22.01.2020 për vazhdim të mandatit edhe për 3 (tre) vjet të Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit është në kundërshtim me dispozitat e nenit 15, paragrafin 4 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 15, paragrafin 7 të Rregullores Nr. 17/2018 për Procedurat e Emërimit në Pozita të larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim dhe krijim të detyrueshëm të servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit publik, të cilat preken nga zbatimi i projektit për ndërtimin e linjës 2x110kV “Kastrioti” në qytetin e Ferizajt.

Një vendim tjetër me rëndësi që mori miratimin e Qeverisë sot është ai për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe rieksportit të produkteve themelore agroushqimore. Vendimi i Qeverisë mbështetet në vështirësitë aktuale në furnizim me produktet themelore të bujqësisë dhe ushqimit në tregjet botërore dhe në Republikën e Kosovës dhe me qëllim të zbutjes së efekteve të situatës aktuale. Në listën e produkteve të ndaluara për eksporte janë përfshirë drithërat dhe produktet e tyre, vajrat ushqimore, sheqeri dhe kripa.

Pas prezantimit të masave të reja të Pakos së Ringjalljes së Ekonomisë, sot qeveria ka miratuar vendimin për aprovim të masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ku janë ndarë rreth 100 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve dhe nga të cilat pritet të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë. Ato janë si në vijim:

1. Të gjithë përfituesit e skemës së asistencës sociale, që kualifikohen për përfitim, marrin vlerën e dyfishuar të asistencës për muajin prill të vitit 2022;

2. Të gjithë përfituesit e skemave pensionale dhe sociale, që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumën e njëhershme prej njëqind (100 €) euro për muajin prill të vitit 2022;

3. Të gjithë punëtorët e sektorit privat, që kualifikohen për përfitim dhe që marrin pagë primare deri në njëmijë (1000 €), mbështeten me shumën e njëhershme në vlerë prej njëqind (100 €) euro;

4. Të gjithë punonjësit e sektorit publik, që kualifikohen për përfitim dhe që marrin pagë primare deri në njëmijë (1000 €) nga buxheti i shtetit, mbështeten me shumën e njëhershme në vlerë prej njëqind (100 €) euro; dhe

5. Të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt, që kualifikohen për përfitim dhe që janë të regjistruar në universitetet publike dhe private në Republikën e Kosovës, mbështeten me shumën e njëhershme në vlerë prej njëqind (100 €) euro.

Asnjë përfitues nuk mund të përfitojë më shumë se një herë nga masat sipas këtij vendimi.

Në vijim janë aprovuar vendimet për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës sociale për muajin prill 2022, për shtesat prej njëqind euro (100 €) skemave pensionale për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme dhe përfituesit e skemës së strehimit familjar për muajin prill 2022.

Të gjithë përfituesit e skemave pensionale dhe sociale përfitojnë shtesën në bazë të kritereve si në vijim:

– Vlera e pensioneve aktuale që përfiton një individ të mos e kalojë shumën pesëqind euro (500 €) dhe

– Shtesa paguhet vetëm për një person.

Qeveria gjithashtu ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 13 milionë e 610 mijë eurove (13.610.00,00 €) për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masat 2.1 – Subvencionim i kredive investuese, 3.4 – Mbështetje e familjeve në nevojë me kupon ushqimor dhe pako ushqimore, 4.3 – Mbështetja e kulturës dhe sportit, dhe 4.4 – Mbështetje për siguri.

Më tej, qeveria i ka rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës, që të autorizojë ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Financimin e politikave zhvillimore për financat publike dhe rritje të qëndrueshme”. Marrëveshja do të sigurojë një hua prej pesëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë euro (50.600.000,00 €)

Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe dy nisma për marrëveshje ndërkombëtare:

1. Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Zhvillimi i ujërave të zeza në Gjilan”.

2. Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe Koncept dokumenti për organizimin e tregut të përbashkët të produkteve bujqësore. Ai përcakton objektivat e përgjithshme dhe specifike, për zbatimin e masave për rregullimin e tregut të produkteve bujqësore sikurse është e rregulluar në vendet e BE-së. Zbatimi i rregullave të tregut do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e hortikulturës që mundëson krijimin e një potenciali të fortë për rritjen e prodhimit të pemëve dhe perimeve në Kosovë. Po ashtu krijon sistem më të mirë të menaxhimit të mbetjeve, bujqësisë organike, mbrojtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të integruar të dëmtuesve.

Në fund të mbledhjes, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është miratuar vendimi për themelimin e Komitetit Drejtues për rehabilitimin e linjave hekurudhore në Republikën e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.