Wednesday, November 30
Shadow

“Pagesat kryhen me kriptovaluta dhe përmes bankës” – Faqja në TikTok shet e promovon para false në sasi marramendëse – VIDEO

Është bërë e vështirë dallimi i parave reale dhe atyre false, mirëpo është rritur numri i rasteve që po raportohen në Polici. Madje paraja false tash e një kohë të gjatë është edhe biznes fitimprurës për dikë, por që kohëve të fundit kjo veprimtari e jashtëligjshme po promovohet edhe nëpër rrjete sociale.

Policia e Kosovës çdo ditë në raportin e saj 24-orësh raporton për raste si “Falsifikim i parasë”, ku në shumicën e rasteve persona të caktuar i denoncojnë rastet pasi i pranojnë paratë false, që do të thotë se është bërë e vështirë të dallohen paratë false nga ato reale.

Këtë veprimtari e ushtrojnë si profesion e biznes një numër i konsiderueshëm i njerëzve. Madje, si një biznes normal, ata e promovojnë edhe nëpër rrjete sociale, lirshëm.

“Porositparefallc” është një faqe që po qarkullon me të madhe në “Tik Tok”, e cila poston video të parave false, ku shihet sasia e madhe e kartëmonedhave të falsifikuara.

Faqja ka mbi 1100 ndjekës dhe mijëra pëlqime në videot ku paraqiten paratë false në vlera të ndryshme.

Në një video që shihet numër i madh i kartëmonedhave 50-she dhe 100-she, shkruan se pagesat mund të bëhen me kriptovaluta.

“Pagesat bëhen vetëm me kriptovaluta. Për më shumë na shkruani në DM. Mundemi me bo edh 50% para porosisë dhe 50% tjetër masi ta pranoni porosinë. Ju faleminderit për besimin, vazhdojmë.”

Ndërsa në një video tjetër shkruan: Të nderuar klientë kemi mbërri më ni pikë shumë të lart ku nesër do të fillojmë transferimn e parave në banke, ku do të jeni të kënaqur ju edhe ne. Faleminderit për besimin.

Kjo faqe ka disa video, mirëpo në njërën prej tyre shihet se paratë janë të palosura në valixhe, derisa në mbishkrim shkruan se ato në mëngjes do të nisen për në tregun e Evropës.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë që t’i pyes se a janë në dijeni për ekzistimin e kësaj faqe, por ata kanë thënë që e kuptojnë kurdoherë që është kryer apo planifikon të kryhet një vepër penale dhe ndërmarrin hapa ligjorë.

Në një përgjigje me shkrim, Policia ka njoftuar se gjatë vitit 2021 janë iniciuar 866 raste të falsifikimit të parasë në gjithë territorin e vendit, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të 2022-tës janë iniciuar 208 raste të tilla.

Ndërkaq, një sinjalizuese ka thënë që në autobus urban, kondukteri nuk ia ka marrë një monedhë dy euroshe, pasi i kishte thënë “po e kemi problem se nuk po mundemi me identifiku”.

Ajo i tha Sinjalit se ato dy euro i ka futur në kuletë dhe është dashur t’ia japë një monedhë tjetër.

Ndryshe, të dyshuarit për këtë vepër penale në shumicën e rasteve veprojnë bashkarisht. Një grup i tillë ka qenë nën llupën e Drejtorisë rajonale në Gjakovë që një kohë, derisa u kap pak javë më parë.

Policia në Gjakovë më 23 mars ka arritur t’i prangos shtatë persona, të cilët dyshohen për falsifikim të parave.

Fillimisht, zyrtarët policorë kanë arritur t’i arrestojnë pesë të dyshuar dhe më pas edhe dy të tjerë, për ta kompletuar grupin që dyshohej se vënin në qarkullim para false.

Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.