Monday, November 28
Shadow

Policia thotë se u sulmua në veri me mjete shpërthyese

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.

Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.

“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftim.

Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre [dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike]. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.

Sulmet në veri

Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar më 15 prill, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published.