Saturday, August 20
Shadow

Shtohen ankesat ndaj Policisë së Kosovës, besueshmëria mbetet

Rastet e ankesave të qytetarëve në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021, janë rritur për 21.4 për qind në krahasim me vitin 2020, kanë konfirmuar zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës është mekanizëm i pavarur nga Policia e Kosovës, për kontrollin policor dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Çështja e ngritjes së numrit të rasteve të ankesave të paraqitura nga qytetarët në Inspektoratin e Policisë është përmendur së fundmi edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, në pjesën ku flet për Kosovën.

IPK: Gjatë vitit 2021, subjekt i hetimeve 213 punonjës të policisë
Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se ky institucion ka pranuar dhe menaxhuar 2,013 ankesa dhe informata, gjegjësisht 355 ankesa më shumë se sa në vitin paraprak.

“Gjatë vitit të kaluar (2021), si subjekt i hetimit nga IPK-ja, kanë qenë në tërësi 213 punonjës të Policisë së Kosovës. Në kuadër të masave dhe rekomandimeve gjatë vitit të kaluar, nga IPK-ja janë kryer gjithsej 38 arrestime [34 zyrtarë policorë dhe 4 qytetarë të dyshuar, të përfshirë në veprimtari penale në rastet kur janë hetuar punonjësit e Policisë së Kosovës], janë bërë 85 rekomandime për suspendime, si dhe gjashtë rekomandime për transferime. Në parim, të gjitha rekomandimet që i ka dhënë IPK-ja, vitin e kaluar, janë përfillur nga Policia e Kosovës”, thotë Beka.

Gjithashtu, sipas raportit të IPK-së për vitin 2021, ky institucion ka proceduar 106 raste me kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit ndaj të dyshuarve për vepra kriminale.

Veprat penale më të shpeshta të hetuara nga IPK-ja në vitin 2021 janë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike në 33 raste, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në 27 raste, lëndim i lehtë trupor në 23 raste, kanosja në 13 raste, si dhe dhuna në familje në 12 raste.

Faktorët që ndikuan në rritjen e ankesave të qytetarëve
Beka thekson se në bazë të analizave që ka bërë IPK-ja, rritja e numrit të ankesave të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës u referohet, së paku dy faktorëve.

Faktori i parë, sipas tij, ka të bëjë me rritjen e nivelit të besueshmërisë së qytetarëve në Inspektoratin Policor të Kosovës. Ndërkaq, faktori i dytë, siç thotë ai, ka të bëjë me angazhimet shtesë të Policisë së Kosovës në raport me pandeminë e koronavirusit, kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe angazhimeve që kanë pasur pjesëtarët e saj në planet operative, për të ngritur nivelin e sigurisë në vend.

Rritja e numrit të ankesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në vitin 2021, sipas tij, është vetëdijesim i të dyja anëve.

“Duhet cekur që përveç masave dhe aksioneve që ndërmerr IPK-ja në raport me dyshimet për shkeljet eventuale ligjore nga ana e zyrtarëve policorë, është edhe vetë Policia e Kosovës që shpesh ndërmerr masa dhe aktivitete të ndryshme për të fuqizuar integritetin brenda vetë organizatës”, thekson Beka.

Një hulumtim i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë mbi perceptimin e qytetarëve për integritetin e institucioneve publike në Kosovë, i publikuar në fillim të marsit 2022, ka nxjerrë në pah se 70 për qind e të anketuarve kanë shprehur besim në institucionin e Policisë së Kosovës.

Shpat Balaj, hulumtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës është i arsyeshëm, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar, gjatë pandemisë së koronavirusit, kur po zbatoheshin masat kufizuese që vendosi Qeveria e Kosovës, ka pasur skena të publikuara në mediat vendore kur zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet. Kjo ka lënë shije të keqe, thotë ai, por jo për fajin e policisë apo qytetarëve, por në shumë raste, për shkak të paqartësisë lidhur me ato masa.

“Është pikërisht ajo paqartësia për sa u përket masave dhe qasjes në përgjithësi ndaj kufizimeve që kanë pasur për qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-it. Qytetarët e kanë kuptuar që Policia e Kosovës është kufizuar dhe është thjesht zbatuese e atyre masave. Rrjedhimisht, pakënaqësitë që kanë qenë me masat si të tilla, nuk i janë atribuuar Policisë së Kosovës, por më shumë janë parë si problem i institucioneve qendrore, të cilat Policia e Kosovës është vetëm duke i zbatuar”, thotë Balaj.

Numër i lartë i të arrestuarve në dy aksione të IPK-së
Ndërkaq, zëdhënësi i IPK-së, Beka, thekson se edhe tremujori i parë i vitit 2022 ka shënuar ngritje të lehtë, prej 4.5 për qind të numrit të ankesave të qytetarëve në raport me tremujorin e parë vitit 2021, kur ishin evidentuar 422 raste të tilla. Por, sipas tij, numri i zyrtarëve policorë të arrestuar në tremujorin e parë të sivjetmë, është më i madh sesa në vitin e kaluar, por jo për shkak të ankesave të qytetarëve, thotë Beka.

Me autorizimin e Prokurorisë përkatëse, në dy operacione të zhvilluara në tri pikë-kalime kufitare, IPK-ja ka arrestuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.

“Po flasim për operacionet, ku i pari është koduar me emrin ‘Pika’ dhe ku janë arrestuar gjithsej 50 zyrtarë, prej tyre 40 zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë. Pastaj ka qenë ‘Pika 2’, ku u arrestuan 26 zyrtarë. Në të dy rastet, dyshimet nga Prokuroria dhe hetuesit e IPK-së kanë qenë kryesisht për dy vepra penale: marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thekson Beka.

Shpend Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson që aksionet e fundit të Inspektoratit të Policisë së Kosovës që rezultuan me arrestimet e zyrtarëve policorë, janë ndër aksionet më të mëdha të këtij institucioni në luftimin e korrupsionit brenda Policisë së Kosovës. Por, sipas tij, edhe vetë Policia e Kosovës ka qenë bashkëpunuese në hetimin e korrupsionit brenda kornizave të këtij institucioni.

Por, sipas tij, në këtë kontekst, problematike është që aksionet e tilla dhe hetimet nuk janë shtrirë edhe në nivelin qendror apo në Drejtorinë Qendrore të Policisë së Kosovës.

“Kryesisht, këto aksione janë të shtrira në drejtoritë rajonale dhe po arrestohen gradat më të ulëta. Kjo potencialisht do të thotë se përhapja në një masë të gjerë e korrupsionit brenda Policisë së Kosovës është indikacion që edhe pozitat dhe gradat më të larta, si dhe jo domosdo vetëm në nivelin rajonal, por edhe në nivelin qendror, mund të jenë të përfshira”, thekson Balaj.

Sipas hulumtimeve të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, të paktën në tre vjetët e fundit, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë në krye të listës së institucioneve më të besueshme, sipas perceptimit të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.