Saturday, August 20
Shadow

Sindikatat kundërshtojnë Albin Kurtin, nuk pajtohen me pagën minimale

Në mbledhjen e së mërkurës Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale tani e tutje të jetë 264 euro bruto.

Por, me një shumë e tillë nuk janë të kënaqur sindikatat.

Pasi sipas tyre, paga minimale në vend do të duhej të ishte më e lartë, duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve të gjërave elementare.

Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë tha për Gazetën Infokus se vlera e pagës minimale e miratuar nga qeveria as nuk duhet të vihet në diskutim, ngase ajo është e ulët.

Madje, sipas tij kjo është arsyeja se pse qytetarët po e lëshojnë Kosovën.

Pasi që tha se vlera nuk duhet të vihet në diskutim fare, Syla u shpreh i pa kënaqur edhe për formën e marrjes së vendimit për rritjen e pagës minimale.

Ai e quan të rrezikshëm faktin se një vendim i tillë është marrë pa biseduar me sindikatat.

“Zakonisht paga minimale përcaktohet dhe me biseda me BSPK-në apo Federatat Sindikale dhe kjo tash nuk është respektuar fare, dhe kjo është e dhimbshme dhe e rrezikshme”, ka thënë Syla.

Sipas të parit të FSSHK-së paga minimale në vend do të duhej të ishte 400 euro, kjo duke u bazuar në shportën e gjërave esenciale.

E me pagën minimale nuk po pajtohet edhe SBASHK-u.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, në një prononcim për Gazetën Infokus, vendimin e ekzekutivit e quajti hap jo të qëlluar.

Gjithashtu, ai tha se qeveria po vazhdon të marrë vendime pa marrë asnjëherë propozimet siç i quajti ai përmbajtjesore të sindikatave.
“Sindikatat kanë ofruar versionin e tyre dhe kanë këmbëngulur në mos jo 400 euro që është kërkuar sidomos nga sektori privat, së paku paga minimale të jetë 300 euro. Mirëpo, ky propozim i sindikatave nuk është pranuar në atë takim dhe po shihet se qeveria ka vendosur dhe ka votuar versionin e vet. Një hap jo i qëlluar, sepse unë konsideroj se qeveria prapë po vazhdon të vendos kokë më vete, pa marrë asnjëherë propozimet e argumentuara të sindikatave”, ka thënë i pari i SBASHK-ut.

E nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në një komunikatë për media kanë thënë se vlera e pagës minimale nuk është punë dëshirash, por është një vlerë që duhet llogaritur.

Po ashtu, në këtë komunikatë u përmend edhe takimi i 10 marsit i Këshillit Ekonomiko-Social, ku atë ditë dështoi të votohet vlera e pagës minimale në 264 euro.

“Në Takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, në votim u hodhën dy propozime për vlerën e Pagës minimale – 264€ dhe 300€, dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një Pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

E në këtë komunikatë u tha se BSPK-ja do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për intensifikimin e veprimeve sindikale në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike, sociale e shëndetësore të të punësuarve.

“Duam të cekim se KES-i do të vazhdojë me punën rreth përcaktimit të pagës minimale edhe për vitin 2023, që do të mundësojë propozimin e pagës minimale më të lartë se në vitin që jemi, vitin 2022”, thuhet në komunikatë.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 300 mijë punëtorë.

Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati në këtë mbledhje tha se me miratimin e këtij projektligji do të rriten pagat e punëtorëve me pagë të ulët.

“Projektligji në fjalë e ka për qëllim që të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat lidhen me shumën e benificioneve ose kompensimeve në pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallën tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën e vendosjes së pagës minimale. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për të rritur pagën e punëtorëve me pagë të ulët ”, ka thënë ai.

Kujtojmë, që paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 është 130-170 euro.

Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.