
Mbrëmë dhe sot u raportua për një vrasje në tentative që ndodhi në restorantin “Bulevard” në Drenas, ku pas një përleshje mes të rinjve u ther me thikë në kokë një të 21-vjeçar.
Sinjali ka mësuar identitetin e dy të dyshuarve që u arrestuan për këtë rast dhe motivin e ngjarjes.
Sipas burimeve, personat që përfunduan në prangat e Policisë pasi dyshohen se rrahën dhe therën me thikë të riun janë I.B 25-vjeçar dhe 17-vjeçari, A. Sh.
Për shkak të sulmit, i riu ka marrë ndihmë mjekësore fillimisht në QKMF-në në Drenas, e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të plagëve që ka pësuar gjatë përleshjes.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës thonë se viktima është sulmuar me një pjesë të armës në kokë nga njëri i dyshuar, teksa tjetri e ka goditur me thikë në shpinë.
Motivi i përleshjes dyshohet të jetë një mosmarrëveshje pas lojës së dy skuadrave të futbollit “Drenica” nga Skenderaj dhe “Feronikeli” nga Drenasi, të cilën palët e përfshira po e përcillnin si tifozë.
Pas marrjes së deklaratave nga të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e dy të dyshuarve, në Qendrën e Mbajtjes në Drenas dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “vrasje në tentativë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.