
Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, raporton Gazeta Sinjali.
E një rast i tillë është raportuar sot pasdite në qytetin e Vushtrrisë, ku një 38-vjeçar është kapur me 19 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Ai është shoqëruar menjëherë për në stacion policor për intervistim, teksa një ekip tjetër e Policisë është urdhëruar që të kryejë bastisje në lokalin e të dyshuarit dhe shtëpinë e tij.
Në kafenenë e 38-vjeçarit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa në banesën e tij Policia ka gjetur dhe sekuestruar një kavanoz i cili ishte i mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.